Rasti i babait dhe djalit në Shqipëri: Preken edhe tre familjarë të tjerë me koronavirus

Rritet bilanci i personave të prekur me koronavirus në Shqipëri duke shkuar në gjashtë.

Pas djalit dhe babait, që ishin rastet e para, kanë rezultuar pozitivë nga analizat edhe tre familjarë të tyre. Burime për Shqiptarja.com sqarojnë se familjarët nuk ka shfaqur asnjëri simptoma dhe nuk kanë probleme shëndetësore edhe pse janë identifikuar me koronavirus.

Ata do të qëndrojnë në shtëpi në izolim dhe nën mbikëqyrje mjekësore.

Ndërsa rasti i gjashtë është një 31 -vjeçar nga Tirana, që ka pasur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër vetëm një ditor në vendin fqinj, ku për fat të keq është infektuar në ato pak orë që ka qëndruar.

I riu po trajtohet bashkë me dy rastet e mbrëmshme, babë e bir, në spitalin infektiv dhe gjendja e tyre paraqitet pa probleme të veçanta, sipas njoftimit zyrtar.

Ndërkohë që po sipas burimeve të Shqiptarja.com edhe djali 31-vjeçar që është shtruar te Infektivi në QSUT nuk ka pasur simptoma.