Mijëra euro investime shkojnë për “lesh” në Ministrinë e Administratës Publike

E-Kutia, projekti për adresimin e ankesave të qytetarëve është bërë vetë për ankesë  

Projekti elektronik për ankesa të qytetarëve rreth shërbimeve administrative që u ofrohen nga institucionet e Kosovës, ka ngecur në funksionimin praktik.

E-Kutia, që ishte lansuar në janar të vitit 2017, në shumë vende ku ishte instaluar, gjendet jashtë sistemit.

Në interesimin e Sinjalit rreth kësaj çështjeje, Ministria e Administratës Publike si bartëse e këtij projekti, ka njoftuar se mungesa e mirëmbajtjes është arsye për mosfunksionimin e plotë të platformës për matjen e opinionit të qytetarëve.  

 “Kontrata për mirëmbajtje ka përfunduar në fund të vitit të kaluar. Ky proces ka qenë dy herë në fazë të tenderimit por ka dështuar në mungesë të interesimit të kompanive” ka thënë për Sinjalin, drejtori i drejtorisë për racionalizim të proceseve administrative në këtë ministri, Burim Balaj.

Ai shtoi se ministria kishte ofertuar me një shumë prej rreth 10 mijë eurosh për mirëmbajtje të sistemit, por kjo nuk kishte joshur kompanitë për aplikim. Balaj theksoi se gjatë këtyre ditëve, Ministria pritet sërish ta hap tenderin dhe se po e shqyrton mundësinë për rritjen e çmimit të ofertës, me qëllim që ky shërbim të jetë në funksion të plotë.