LDK nuk i bashkohet Veselit për paktin kundër korrupsionit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është deklaruar kundër iniciativës së Kadri Veselit.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme ka nënshkruar një Pakt Kundër Korrupsionit, ku iu ka bërë thirrje të gjithë krerëve të partive politike ta nënshkruajnë këtë pakt.

Lexo edhe:

Veseli thërret liderët ta nënshkruajnë Paktin Kundër Korrupsionit: Qytetarët presin vepra e jo fjalë

Mirëpo, partia e Isa Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është shprehur kundër këtij pakti.

Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, duke e quajtur shaka me popullin, ka thënë për lajmi.net, se nuk do ta nënshkruajnë këtë pakt.

“Do të thotë këto shakatë e dhimbshme me këtë popull po vazhdojnë. Kadri Veseli në prag të fushatës, kush është Kadri Veseli që të ofrojë pakt kundër korrupsionit. A e patën Qeverinë? – Qeveria më skandaloze, ndoshta më e dëmshmja prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore për Kosovën. Prandaj këto shakatë me këtë popull, me opinionin publik, me qarkun kulturor e akademik, e në veçanti me Lidhjen Demokratike të Kosovës që shquhet për duar të pastra, për institucionalizim, për sundim të rendit dhe ligjit, ne i themi një jo të madhe shakave të dhimbshme edhe cirkut që po e vazhdon Kadri Veseli dhe soji i tij që nga viti 2007 në Kosovë”, ka thënë Rugova për lajmi.net.

Sipas tij, kjo nismë e Veselit është një humor i zi dhe për keqardhje.

“LDK-ja është parti e parë, është parti historike, është partia më e madhe dhe është një humor i zi për keqardhje kur paramendojeni Kadri Veseli të thirr me nënshkrua pakt anti-korrupsion, kundër korrupsionit. Një njeri që dihet se si e ka rrëzuar për tokë këtë vend dhe Partia Demokratike e Kosovës, e shefi i së cilës është ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli”, u shpreh Rugova.

Theksojmë se deri më tani kundër nënshkrimit të këtij pakti është deklaruar PSD-ja.