Incidenti tragjik, delfini i vogël ndërron jetë gjatë shfaqjes shkaku i lodhjes

Një incident tragjik ka ndodhur gjatë një shfaqjeje me delfinë në qytetin Varna të Bullgarisë, pranë Detit të Zi.

Një delfin i vogël ka ngordhur në mes të performancës për shkak të lodhjes së tepërt.

Bisser Lyubenov i cili ishte i pranishëm në shfaqje tha se në një moment ndodhi një problem, delfinët ndaluan së luajturi dhe vizitorëve iu kërkua që të largoheshin.

Një tjetër dëshmitar tha se e panë nga kafja e parkut trupin e delfinit të ngordhur.

Megjithatë, mbajtësi i delfinëve mohoi se ngordhja e delfinit ka ndodhur gjatë shfaqjes live dhe para fëmijëve.

Tsvetan Stanev, një biolog që punon në atraksionin turistik, tha se delfini i vogël është ndarë nga nëna që nga lindja e tij, për t’u marrë në shfaqje.

Ai shtoi se kjo gjë nuk duhet të ndodhë pa kaluar gjashtë muaj pas lindjes.

Incidenti u shoqërua me reagime të shumta, pasi në të njëjtin park në pesë vitet e fundit kanë humbur jetën edhe pesë delfinë të tjerë.

Në një reagim për ngjarjen, Yavor Gechev, pjesë e organizatës për mbrotjen e kafshëve tha:

Ky incident tregon qartë që kushtet në këtë park nuk plotësohen as standardet minimale për mbajtjen e kafshëve të tilla. Kafshët janë duke luftuar atje, nuk po mbijetojnë dot nga keqtrajtimi që iu bëhet.”

Po ashtu në “Facebook” u nda një peticion ku kërkohej mbyllja e parkut.

Në përgjithësi, Europa po shkon drejt mbylljes së ambienteve të tilla, me përjashtim të Spanjës, ku ka ende një numër të lartë delfinësh të robëruar.