Hamza “rehaton” asistenten ende pa u mbyllur konkursi

Asistentja e ministrit në largim të Financave, Bedri Hamza, së fundi ka pësuar një rotacion në institucionin ku ajo punon. Shpresa Vokshi-Jupolli, nga asistente e ministrit në largim Hamza, ka kaluar në staf civil dhe ka marr titullin “Analiste e lartë e buxhetit” në Departamentin e Buxhetit. Një të tillë është duke e mohuar shefi i saj.

Deklarimet kundër korrupsionit dhe neopitizimit, të bëra nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, si duket nuk po dëgjohen brenda partisë së tij. Njëri nga njerëzit më të vlerësuar nga ana e Veselit, ka vepruar në kundërshtim me atë se çfarë deklaron i pari i PDK-së, për çdo ditë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka avanësuar, asistenten e tij, Shpresa Vokshi-Jupolli, në “Analiste të lartë për buxhet”.

Në konkursin e brendshëm të shpallur nga Ministria e Financave më 27 gusht të këtij vitit, për pozitën “Analistë i lartë i buxhetit”, vetëm për një pozitë, si duket fatlume ka qenë asistentja e ministrit Hamza, Shpresa Vokshi-Jupolli, shkruan Gazeta Insajderi.

Në këtë konkurs për të cilin, ministria e ka lënë të hapur deri më 3 shtator, ka gjetur menjëherë pas një dite të shpalljes së konkursit, personin adekuat, Shpresa Vokshi-Jupollin.

Ministria e Financave një ditë pas shpalljes së konkursit, më 28 gusht ka njoftuar për kandidaten e suksesshme.

Në vendimin e ministrisë, të siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se “është bërë përzgjedhja e kandidatit të suksesshëm të rekomanduar nga Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civil të Ministrisë së Financave”.

“Në bazë të të nenit 41, paragrafi 2 të rregullores 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil të Kosovës, Ministria e Financave bënë njoftimin për kandidatët e suksesshëm të rekomanduar nga Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civil të Ministrisë së Financave pas përfundimit të procedurës së rekrutimit për pozitën: “Analistë i lartë i buxhetit në Departamentin e Buxhetit (1pozitë) në Ministrinë e Financave si vijon: Shpresa Vokshi/Jupolli…”, thuhet në njoftimin e ministrisë, të siguruar nga Insajderi.

Mirëpo këtë është duke e mohuar shefi i Shpresa Vokshi-Jupollit.

Hamza i kontaktuar nga Gazeta Insajderi, ka mohuar se asistentja e tij, ka marr pozitën e re. Ai ka thënë se ajo nuk ka nënshkruar asnjë lloj kontrate, përveç që është intervistuar nga komisioni.

“Nuk ka kaluar [v.j. staf civil], ajo është intervistuar është vlerësuar por ajo vazhdon me qenë tek unë në kabinet. Komisioni e ka vlerësuar si të parën mirëpo ajo ka vazhduar dhe vazhdon me mbet në kabinet me punu tek unë, nuk kalon në atë pozitë”,

Hamza ka shtuar se “Ajo vazhdon të mbetet në kabinet te unë, nuk ka nënshkruar asnjë lloj kontrate, e tash a përsëritet konkursi apo jo nuk e di”.

Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje Shpresa Vokshi-Jupolli mirëpo ende nuk ka marr ndonjë përgjigje nga ana e saj.