Dalin pamjet e para të Ronaldinhos në burg: Legjenda s’harron të buzëqeshë

Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldinho, është fotografuar i buzëqeshur në një burg të Paraguait, ku është duke u mbajtur për hyrje të jashtëligjshme në shtetin e Amerikës Jugore me pasaportë të falsifikuar.

Hernan Rodriguez, gazetar paraguaian i radios Unicanal, e ka publikuar fotografinë e parë të Ronaldinhos në burg.

Ronaldinho, bashkë me vëllain e vet Roberto Assis, janë duke u mbajtur në burgun Quadrilateral. Në këtë burg mbahen politikanët e ndjekur për korrupsion dhe trafikuesit e drogës.

Ronaldinho dhe vëllai i tij dolën para gjykatës të shtunën, nën akuzat se kishin përdorur pasaporte të rreme për t’u futur në kryeqytetin e Paraguait, Asuncion, të mërkurën.

Gjykata ka udhruar që ata të mbahen në burg deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tyre, duke argumentuar se ekziston rreziku që ata të ikin nga vendi pa përfunduar gjykimi ndaj tyre.

Sipas mediave lokale, gjykatësja e rastit Clara Ruiz Diaz ka thënë se procesi i hetimit dhe gjykimi mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.

Ajo e ka refuzuan propozimin për arrest shtëpiak për Ronaldinhon dhe vëllain e tij, duke thënë se ata nuk kishin ofruar prova të mjaftueshme për një vendim të tillë.

“Gjithmonë ekziston rreziku për të ikur kur i huaji futet ën vend ilegalisht”, ka thënë ajo.

Në korrik të vitit 2019, Ronaldinhos iu konfiskuan pasaportat braziliane dhe spanjolle për shkak të mos pagimit të tatimeve dhe mos pagimit të gjobave për ndërtim të jashtëligjshëm në një vend të mbrojtur natyror në Brazil.